Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti sot një konferencë për media, në të cilën ai e prezantoi Ministrin e ri të Shëndetësisë, transmeton Kosova Post.
Mirëpo, këtë konferencë gazetarët e shfrytëzuan për t’i shtruar edhe pyetje të tjera kryeministrit. Ai u pyet edhe për çështjen e pagesës së rrymës, për qytetarët e veriut.
“Për çështjen e energjisë në veri që s’po paguhet, e kanë fajin strukturat ilegale të Serbisë, sepse sa më shumë ka struktura ilegale të Serbisë në këto vitet pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë aq më pak ka ligjshmëri.
Licensimi i kompanisë është kompetencë e ZRRE dhe ata do ta bëjnë vendimin për këtë. Për çështjen e energjisë do të mund të bisedojmë me Brukselin por jo me Beogradin, sepse është çështje e Kosovës” – tha ndër të tjera kryeministri.
Meqenëse, sipas tij, BE ka qenë shumë e përfshirë në këtë temë, me ta do të mund të bisedohet.
“Prandaj, nëse kjo temë ngritet atje atëherë ngritet vetëm në raportin Prishtinë-Bruksel dhe jo Prishtinë-Beograd” – u shpreh ai./KosovaPost/