Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se sot, si qeveri, ia kanë propozuar Kuvendit të Kosovës, Bordin e ri të Drejtorëve të AKP-së, shkruan Kosova Post.
Kryeministri Kurti këtë njoftim e ka ndarë me qytetarët, nëpërmjet rrjetit social Facebook. Sipas tij kjo është bërë “për një shoqëri demokratike, që i jep mundësi zhvillimit e progresit”.
Ky është postimi i plotë i tij:
Për një shoqëri demokratike e që i jep mundësi zhvillimit e progresit, sot i propozuam Kuvendit bordin e ri të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ky vendim nis përgatitjen e transformimit të kësaj agjencie dhe ndaljes së tjetërsimit zhvatës të pronës e pasurisë sonë.
Privatizimi i egër që nisi në vitin 2002, nuk ishte brutal vetëm nga aspekti socio-ekonomik. Në qershor 2012, ish kreu i AKP-së u gjet i therrur me 11 të rëna të thikës në një vdekje të dhunshme që ende mbetet enigmatike.
Kosova duhet të lëvizë drejt Fondit Sovran dhe Agjencisë e Bankës Zhvillimore. Nuk do të jetë lehtë dhe as s’e bëjmë dot përnjëherë. Mirëpo, ndryshimi për të cilin votuan qytetarët dhe programi ynë qeveritar janë rruga e së ardhmes. Andaj, ky edhe është bordi i fundit i AKP-së.