Që nga sot nga institucionet e Kosovës, më nuk do të lëshohen tabela të tjera, përveç atyre me RKS, transmeton Kosova Post.
Vetë Kryeministri i Republikës së Kosovës, ka dalë në foltore të parlamentit, për t’ua shpjeguar deputetëve këto veprime të ndërmarra nga qeveria.
“15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit ku përfundimisht duhej të merrte fund marrëveshja në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat, përveç atyre RKS” – tha ndër të tjera Kryeministri Kurti.
Ai shtoi se:
“Republika e Kosovës nga data 15 shtator 2021 ka ndërprerë dhënien e tabelave KS, sepse nga kjo datë, këto tabela nuk janë më valide. Pesë ditë mbas skadimit të marrëveshjes, Ministria e Punëve të Brendshme sot ndërmori veprimet e nevojshme, për konfiskimin e të gjitha tabelave ilegale përgjatë tërë territorit të Republikës së Kosovës, sikurse edhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar.”
Pavarësisht se çfarë nacionaliteti kanë pronarët e makinave, ato po konfiskohen, shtoi ai, duke theksuar se qytetarët e Serbisë që vijnë me vetura që kanë tabela të kësaj republike, do të pajisen me tabela të përkohshme.
Debati ka vijuar rreth kësaj pike, me replika edhe nga deputetët opozitarë.
“Pse sot zoti Kryeministër? A ka pasur një fushatë vetëdijesimi” – pyeti Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Gashi tha që më e rëndësishme se sa kjo temë, është ajo e pandemisë. “Këtu po të presim z. Kryeministër” – tha ai, duke e pyetur nëse ka ndonjë përgjigje rreth situatës së pandemisë./KosovaPost/