Në tryezën ndërkombëtare vjetore të revistës prestigjioze The Economist, e cila po mbahet në Athinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe ish-Drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo, transmeton KosovaPost.
Në këtë takim u theksua miqësia dhe partneriteri i Kosovës me ShBA-të, nevoja për shtimin e investimeve ekonomike amerikane në Kosovë dhe hapat, që po ndërmerr Kosova për të shtuar sigurinë dhe mbrojtjen.
Kurti e njoftoi Pompeon me të arriturat e Kosovës sa i përket rritjes ekonomike, cilësisë së demokracisë dhe imazhit të Kosovës në botë.
U diskutua edhe situata në Evropë e posaçërisht në Ballkan pas agresionit ushtarak të paprovokuar, ilegal e të pajustifikueshëm të Rusisë mbi Ukrainën.
Të dy u pajtuan që Rusia nuk bën kurrsesi ta fitojë këtë luftë, që kontinenti evropian mbrohet më së miri me unitet të brendshëm dhe me urën transatlantike me ShBA-të dhe se Kosova është shembull suksesi i qëndrueshmërisë së popullit të saj dhe i ndërhyrjes së NATO-s.