Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, iu ka premtuar mbështetje familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik në Kroaci, raporton Kosova Post.
Këtë premtim Kryeministri Kurti e bëri në mbledhjen e sotme të qeverisë. Fillimisht ai ua ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave, duke theksuar se mbështetja institucionale për familjarët e viktimave, nuk do të mungojë.
“Sot u kthyen në Kosovë trupat e bashkatdhetarëve tanë që nuk i mbijetuan aksidentit. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur kortezhin në Vërmicë, ndërkaq ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tani është afër morgut të Prizrenit” – ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se e tërë kjo është “një dhimbje e pikëllim për mbarë popullin tonë.”
Kurti i falënderojë edhe institucionet kroate për përkrahjen e pakursyer ndaj të mbijetuarve të aksidentit:
“Edhe një herë ju shprehi mirënjohje të gjitha institucioneve shtetërore të Kroacisë, e në veçanti kryeministrit Plenkoviq për ndihmën e pakursyer në këtë situatë të rëndë. Qeveria e Kosovës do t’u qëndrojë pranë bashkatdhetarëve me të gjitha mundësitë që t’ua lehtësojmë atyre dhimbjet nga pasojat e aksidentit”.
Siç është raportuar më herët, gjatë mesditës së sotme arritën edhe trupat e pajetë të viktimave të aksidentit. Ceremonitë e varrimit pritet të mbahen sot në vendlindjet e vdekurve./KosovaPost/