Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Norvegji u takua me përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave Norvegjeze dhe Federatës Norvegjeze të Punëdhënësve.
Kryeministri theksoi se mirëqenia sociale është ndër prioritetet qendrore të Qeverisë së Kosovës, duke theksuar reformat e ndërmarra dhe indikatorët pozitivë në ekonomi, thuhet në njoftim për media.
Në takim gjithashtu u diskutua për modelin nordik të organizimit të tregut të punës, ku kërkesat e punëtorëve për të drejta, dinjitet dhe mirëqenie nuk bien ndesh me kërkesën e kompanive për konkurrueshmëri, por ndihmojnë e plotësojnë njëra tjetrën në prodhim, produktivitet dhe zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, përfaqësuesit e federatave shprehën interesimin për të vizituar Kosovën dhe për të rritur bashkëpunimin.