Micheál Martin, Kryeministër i Republikës së Irlandës, e ka uruar Albin Kurtin për emërimin e tij në krye të ekzekutivit kosovar 22 mars 2021, shkruan Kosova Post.
Kryeministri Martin, nëpërmjet një letre, përveç urimeve të ngrohta në emër të qeverisë dhe popullit të Irlandës, pret që t’i intensifikojnë raportet ndërshtetërore.
“Irlanda dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie të ngrohta dhe unë pres që të punojmë së bashku për të
forcuar më tej këto lidhje. Jam shumë i kënaqur të shoh që marrëdhëniet tona dypalëshe vazhdojnë të forcohen. Unë e mirëpres lidhjen kohët e fundit të një marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë, marrëveshja e parë dypalëshe midis dy vendeve tona” – thuhet ndër të tjera në letrën e Kryeministrit të Irlandës.
Kryeministri Micheál Martin vë në dukje faktin se “Kosova përballet me shumë sfida në këtë moment, veçanërisht, sikurse edhe të gjithë ne, me trajtimin e pandemisë COVID 19 dhe ndikimin e saj shëndetësor dhe ekonomik. Unë e mirëpres që, gjatë javëve të kaluara, vaksinat e para kundër Covid-19 të dorëzuara përmes COVAX-it kanë mbërritur në Kosovë. BE-ja ka luajtur rol thelbësor për të bërë të mundur mbështetjen përmes COVAX-it dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën dhe rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor në tejkalimin e pandemisë dhe jo vetëm.”
Në letrën e Kryeministrit irlandez vihet në dukje edhe ndihma e BE-së që i është dhënë Kosovës në periudhën e pandemisë, por po ashtu edhe vështirësitë ekonomike e reformat sociale e ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova.
“Ndërsa qeveria juaj fillon reformat urgjente dhe të vështira ekonomike, sociale dhe ligjore, Irlanda, së bashku me partnerët tanë të BE-së, shpresojnë të punojnë me ju dhe qeverinë tuaj për të shtyrë përpara reformat e tilla në përputhje me Agjendën e Reformave Evropiane, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, dhe marrëveshje të tjera relevante BE-Kosovë.
Ngjashëm me Irlandën, Kosova është një vend i formësuar nga përvoja juaj me konfliktin dhe përpjekjet e vazhdueshme për të ndërtuar besimin dhe pajtimin. Unë do të inkurajoja shumë përpjekjet e ripërtërira të qeverisë suaj për të promovuar marrëdhënie dhe bashkëpunim më të mirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë përmes intensifikimit të Dialogut Prishtinë-Beograd.
Irlanda do të vazhdojë të punojë me partnerët tanë të BE-së dhe ata ndërkombëtarë, përfshirë përmes anëtarësimit tonë aktual në Këshillin e Sigurimit të Kombëve të Bashkuara, për të mbështetur një përfundim të suksesshëm të dialogut që synon zgjidhjen e të gjitha çështjeve dypalëshe të pazgjidhura.
Unë kam besim se progresi thelbësor në këtë fushë do të kontribuojë shumë drejt rrugës së Kosovës në BE. Irlanda do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht perspektivën evropiane të Kosovës dhe pret progres të hershëm në përmbushjen e objektivave të përbashkëta të reformës të Kosovës dhe partnerëve të saj të BE-së dhe ndërkombëtarë.”
Duke i shprehur mbarësi e suksese në punë, Micheál Martin, uron që raportet e mira të të dyja vendeve, të vijojnë edhe më tej./KosovaPost/