Kreu i Gjykatës me qendër në Holandë, e cila i heton krimet e pretenduara të luftës të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) gjatë konfliktit të saj me forcat serbe dy dekada më parë, ka kërkuar nga diplomatët e BE t’i dalin në ndihmë në luftën kundër një fushate për të minuar punën e saj në Kosovë.
Në një konferencë konfidenciale për diplomatët evropianë në Hagë më 11 shkurt, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova paralajmëroi se Gjykata po përballet me përpjekje të shtuara nga brenda Kosovës për të penguar procedurat e vazhdueshme ligjore, përfshirë ato kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është paditur për krime lufte vitin e kaluar, raporton Euronews.
Në një transkript informues, të siguruar nga Euronews, Trendafilova tha se tashmë po bëheshin përpjekje për të kundërshtuar ligjin që themeloi Gjykatën në vitin 2015 dhe mund të përfshijë përpjekje ose për të falur të dënuarit për krime ose edhe për ta zhvendosur krejt Gjykatën – dhe të dhënat e e saja voluminoze konfidenciale – nga Haga, ku është aktualisht e vendosur, në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.
“Kjo sigurisht që do të vërë në rrezik jetën dhe sigurinë e njerëzve që kanë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht, do të kishin një efekt tronditës për dëshmitarët, të cilët mund të mos dëshirojnë të paraqiten tash e tutje, duke e bërë kështu të pamundur që Prokurori i Specializuar të vazhdojë me çështjet e tij”, tha Trendafilova.
Trendafilova, e cili është me shtetësi bullgare, gjithashtu paralajmëroi mbi sigurinë e dëshmitarëve që paraqiten në ndjekje penale në çështjet në vazhdim dhe u kërkoi vendeve evropiane ta marrin në konsideratë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi” përmes së cilës dëshmitarët dhe familjet e tyre do të mund të zhvendoseshin në Evropë.
“Pa këto marrëveshje, do të jetë shumë e vështirë nëse jo e pamundur në disa raste për të siguruar që dëshmia mund të jepet lirshëm dhe pa ndonjë frikë”, tha Trendafilova.
Në tetorin e vitit të kaluar, Dhomat e Specializuara e kanë paditur Thaçin dhe ish-kryetarin e parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, për akuza për krime lufte, së bashku me dy ish-anëtarë të tjerë të UÇK-së