Ish-kolegët e partisë, Pal Lekaj e Meliza Haradinaj-Stublla, janë përplasur mbrëmë mes vete, pas dorëheqjes së kësaj të fundit nga pozita e Kryediplomates dhe AAK-ja.
Në njoftimin për dorëheqje, ajo akuzoi disa njerëz brenda AAK-së që sipas saj po kontrollojnë dhe shantazhojnë përbrenda këtë parti.
E këto deklarata të saj, i ka komentuar nënkryetari i kësaj partie, Pal Lekaj.
Sipas tij, vendimi për dorëheqje është i ngutshëm dhe ka ardhur në një moment jo të përshtatshëm. Kjo pasi që, sipas tij, një veprim i tillë është dashur të merrej atëherë kur racionaliteti vendoset mbi emocionet personale.
“Unë e vlerësoj znj Haradinaj-Stublla për angazhimin dhe profesionlizmin e treguar ndër vite në AAK mirëpo më duket se ajo është ngutur me vendimin e saj për tu larguar nga AAK në këtë kohë kur gjërat ende janë të padefinuara dhe veprime të tilla kaq të mëdha bëhen në momente më të qeta dhe kur racionaliteti vendoset mbi emocionet personale por në fund të fundit vendimet i takojnë asaj dhe neve na mbetet vetëm t’i respektojmë”, ka thënë Lekaj.
Ndërkohë, për deklaratën e saj për “njerëzit toksikë” në AAK, Lekaj tha se nuk e ka kuptuar se çka ka dashur të thotë ajo.
“Nuk e kam kuptuar se çfarë ka dashur të thotë me këtë deklaratë mendoj se kjo duhet sqaruar nga ajo vet sepse tash të gjithë e din që z. Haradinaj është person me intigritet e le më të izolohet nga partia e tij”, tha ai tutje për Sinjalin.
Por, ka qenë vetë Haradinaj-Stublla ajo që është kujdesur që t’ia sqarojë Lekajt edhe më shumë këtë deklaratë.
“Kryetoksiku paska ‘vlerësuar’ punën, kontributin, dhe bashkëpunimin me mua, duke thënë se nuk e ka kuptuar saktësisht deklaratën time… e mu për këtë arsye, po ia plotësoj me gjithë qejf dëshirën.”, ka thënë ajo.
“Nënkryetari ‘i përhershëm dhe i pamposhtur’, i cili trembi e largoi shumë figura të dinjitetshme e kredibile nga strukturat e degës në Gjakovë, dhe nga kryesia qendrore e partisë, vetëm e vetëm për të mos humbur ‘pushtetin’ e tij përbrenda partisë, duke qëndruar me insistim afër kryetarit Haradinaj. Fakt i mirënjohur tashmë që ka shumë të tillë si ky zotëriu përreth aty, nga të gjitha anët, por meqë paska reaguar pa e pyetur kush, si po të ndihej fajtor – po merrem me të, sa për të gjithë”, shton Haradinaj-Stublla.
Ajo hedh akuza ndaj Lekaj se ka kërcënuar dhe shantazhuar votuesit e AAK’së.
“I shokuar nga rezultati i natës së zgjedhjeve, pas mbylljes së vendvotimeve dhe numërimit në Gjakovë, ishte pikërisht ky që tregojnë shumë burime se ‘shantazhoi e kërcënoi’ të gjithë mbështetësit e sinqertë të AAKsë që përkrahën kandidatë të tjerë, specifikisht JO atë dhe rrethin e tij të të panjohurve dhe të sapoaderuarve në listë. I mbajti hermetike rezultatet e Gjakovës për kandidatët e AAK-së për dy ditë rresht, mesiguri që për asnjë arsye të shëndoshë.”, shkruan ajo.
“Jam tani mjaft me përvojë – zotëri, dhe vitet që kam përpara, më duhet t’i shpenzoj për të realizuar të vërtetën time, misionin tim, ëndrrën e gjeneratës sime, e jo të vazhdoj të qëndroj e heshtur para ‘kriminaliteteve të shumëllojshme’ të njerëzve si ti e rrethi yt, që kujtoni se jeni të barabartë me mua e mund të vlerësoni punën e kontributin tim që as se kuptoni, as skeni kapacitet intelektual t’a komentoni, e as që keni bashkëpunuar ndonjëherë me mua për të më njohur.”
Lekajt i ka reaguar edhe bashkëshorti i ish-minisres, Dardan Stublla.
Stublla e ka publikuar një fotografi në Facebook, ku janë rezultatet e numërimit të votave të politikanëve, ku sipas tij, është ndryshuar numri i votave tek Meliza Haradinaj-Stublla dhe kandidati Berat Duraku.
“Turpi ska kufi!!!! Kur është bërë Pal Lekaj me trurin e kufizuar që e fut në punë vetëm për mallverëzime dhe tender, ta vlerësojë dikën atëherë e sheh se ku është vendi. Krijo një skenar me ata tut cka me thon para . Nr 12 008 sipas Palit 000, Nr 47 119 sipas Palit 019”, ka shkruar Stublla në Facebook.
Ndryshe, Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka dhënë dje dorëheqje nga pozita e kryediplomates dhe gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia.
Dorëheqja e saj vjen pas publikimit të një video-incizimi në media, ku pretendohet se burri i saj, Dardan Stublla, ia ka blerë votat asaj.
Në pozitën e të parit të MPJ’së tashmë është emëruar zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.