Kukësi ka gati trajnerin e ri?!

Kukësi ka gati trajnerin e ri?!

Klubi i Kukësit po projekton Armando Cungun si pasardhës të trajnerit Mlladen Milinkoviç. Nuk është thjesht një hipotezë, por mes zyrtarëve të klubit kampion në fuqi dhe trajnerit shkodran ka pasur bisedime paraprake për atë që mund të ndodhë në fund të këtij muaji.

“Panorama Sport” zbulon se drejtuesit e Kukësit kanë pritur që pas humbjes ndaj Skënderbeut, trajneri Milinkoviç të jepte dorëheqjen. Mirëpo, ky i fundit ia ka kaluar “topin” presidentit Safet Gjici. Në mes është kontrata, e cila është “kopsitur” mirë nga përfaqësuesit ligjorë të serbit.

Në rast se kreu i klubit vendoste për largimin e trajnerit pas mbledhjes së fundit që zhvilloi, atëherë do të cilësohej shkarkim. Kësisoj, më pas do të kishte bisedime për gjetjen e konsensusit sa i përket dëmshpërblimit që do të përfitonte trajneri për prishje të njëanshme të kontratës. Milinkoviç merr një pagë prej 5 mijë eurosh në muaj, ndërsa te Kukësi ka ardhur bashkë me një staf të përbërë nga tre ndihmës.

Pas humbjes në Korçë, edhe vetë serbi mësohet se ka qenë i ndërgjegjshëm se mund të shkarkohej, por me sa duket, Gjici ka rënë në “dashuri” me punën e tij, pavarësisht mungesës së rezultateve. Por, gjithçka mbetet për t’u parë në javët e ardhshme, ku në lojë është edhe një ultimatum për tri fitore radhazi kundër Lushnjës, Teutës dhe Luftëtarit.

Gjithsesi, në skenë është rikthyer shkodrani Cungu, i cili ka bërë historinë me Kukësin duke kaluar tri ture në Ligën e Europës, pikërisht në sezonin debutues të verilindorëve. Në këtë periudhë, Cungu ka qëndruar larg medias. I kontaktuar dje nga gazeta, ish-trajneri i Vllaznisë as e ka mohuar dhe as e ka pohuar lajmin duke mos iu përgjigjur pyetjes për bisedime me klubin e Kukësit.

You may also like

Dyqani palestinez ndalon hyrjen e amerikanëve

Gjatë periudhës së nazizmit ishin tregtarët gjermanë ata