Në fshatin Herticë në Podujevë, ndodhet një kullë e vjetër, mjaft karakteristike. Kulla e Xhemajl Haxhisë, afro 200 vjeçare, i fton mysafirët që t’i shkojnë për vizitë por “me qëllim të mirë”, transmeton Kosova Post.
Sociologu Muamer Sivrikoz nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, i ka shpjeguar karakteristikat e kësaj kulle, ndërsa shkrimin është kujdesur ta shoqërojë edhe me disa fotografi.
“Në hyrje të derës kryesore bie në sy Shehadeti, e cila është edhe shtylla e parë e Islamit, ndërsa me të hyrë në oborr menjëherë shfaqet kulla e cila është unike por e ndan fatin sikur kullat tjera gjithandej Kosovës e që është harresa institucionale” – shkruan ndër të tjera Sivrikozi.
Si shumë objekte me vlera historike, edhe kjo kullë, ka mbetur pa përkujdesjen e nevojshme institucionale.
Për më shumë, shiheni postimin e plotë:
“Ejani me qëllim të mirë”
Në Herticë, gjendet një shtëpi e cila kërkon nga njerëzit që të shkojnë në të me qëllim të mirë. Fjalë është për kullën e Xhemajl Haxhisë, e cila është e vjetër së paku 200 vjet. Në këtë kullë që nga dera e hyrjes e deri tek kulmi i saj është e unike por edhe e tregime të vuajtjeve, mikpritje e tregime interesante.
Në hyrje të derës kryesore bie në sy Shehadeti, e cila është edhe shtylla e parë e Islamit, ndërsa me të hyrë në oborr menjëherë shfaqet kulla e cila është unike por e ndan fatin sikur kullat tjera gjithandej Kosovës e që është harresa institucionale.
Dera e kullës është nga një dru masiv mbi të cilin prapë gjendet një mbishkrim në gjuhën osmane si dhe i tërë vëmendja rrëmbehet nga ylli gjashtëkëndësh, që gjendet në mes të mbishkrimit. Në këtë mbishkrim që daton nga viti 1875, shkruan :Ejani me qëllim (nijet) të mirë.
Kjo kulle kishte shërbyer për të strehuar shumë shqiptarë që kishin arritur të kalonin të gjallë në këto anë, gjatë viteve të vështira, kur u masakruan dhe u dëbuan shqiptarët nga sanxhaku i Nishit, gjatë viteve 1878/79. Po ashtu në të gjitha luftërat që u zhvilluan në këto anë, gjatë shekullit XX, kjo kullë ka shërbyer si shtab lufte, këtë po ashtu bëhet e ditur nga ekzistenca e frëngjive në të katër anët e kullës, ku disa prej tyre ishin mbyllur.
Fshati Herticë, përpos bukurive natyrore dhe kullës, po ashtu në të gjendet edhe miniera që daton që nga periudha romake.
Falënderoj anëtarët e familjes Haxhiu për mikpritjen, gatishmërinë për të na ndihmuar dhe shpjeguar historikun dhe detajet dhe sekretet tjera të kullës.