Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia ka qëndrim dhe pikëpamje të ndryshme me Slloveninë për pavarësinë e Kosovës.
Ai gjithashtu potencoi se është dakord me presidentin slloven Borut Pahor që nuk do të ketë ndryshime në kufij, por gjithashtu se ajo që Serbia këmbëngul për respektimin e kufijve bazohet në kartën e Kombeve të Bashkuara.
“Nëse është kështu, unë pajtohem me këtë, por më duket se këtu është në pyetje diçka tjetër. Kjo nuk ka asnjë lidhje me presidentin slloven. I pyeta të gjithë kur filluan të zbatonin parimin se nuk ka ndryshime në kufij, kur i ndryshuan ato në vitet 1990. Kur u kujtuat të mos ndryshonit kufij?”, pyeti Vuçiq, raporton Blici serb.
“Kjo është përgjigjja ime për të gjithë ata që trumbetojnë mbi kokat tona me parime, por ata nuk u përmbahen të njëjtave parime” , shtoi ai.
Nga ana e tij, presidenti slloven në një konferencë të përbashkët me Aleksandar Vuçiqin pas takimit mes tyre foli për integrimin evropian të Serbisë dhe perspektivën e saj evropiane.
Siç tha ai, do të ishte mirë nëse të gjitha vendet e kësaj zone hyjnë në BE pak a shumë në të njëjtën kohë, transmeton klan kosova. Një ditë më parë, kreu i shtetit slloven qëndroi për vizitë në Kosovë nga ku rikonfirmoi se shteti i tij në asnjë formë nuk ka gisht në të ashtuquajturin “non-paper” ku proklamohej ndryshimi i kufijve.