Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria është në fazën e përgatitjes së buxhetit për vitin fiskal 2023.
“Do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave, e kjo rritje e buxhetit do të duhej të reflektojë edhe në cilësinë e shërbimeve komunale, karshi qytetarëve, mirëqenies së tyre dhe zhvillimit në ekonomi. Nevojitet avancim i bashkëpunimit Qeveri-komuna”, tha Kurti sot në Pejë.
Ai ka kërkuar bashkëpunimin e komunave me qeverinë për avancim.“Kemi ndërmarrë shumë hapa reformues duke filluar me kornizën ligjore që rregullon pushtetin lokal.
Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkret duke filluar nga hartimi i planit kombëtar të zhvillimit, hartimi i planit për zvogëlimin e barrës administrative. Jemi në fazën e fundit të hartimit të strategjisë për digjitalizimin e shërbimeve”, është shprehur Kurti.
Takimi i Kurtit me kryetarët e komunave po zhvillohen në Pejë. Aty po marrin pjesë edhe disa ministra dhe zëvendësministra. /rtk