Barazia gjinore është si parakusht për barazi shoqërore. Kështu u theksua në takimin e sotëm që kryeministri Albin Kurti, zhvilloi me përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave, përcjell KosovaPost.
Gjatë këtij takimi u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit të institucioneve të shtetit dhe shoqërisë civile, për të forcuar zhvillimin ekonomik dhe për të eliminuar pabarazitë sociale që pengojnë pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
“Kryeministri Kurti potencoi punën dhe përkushtimin e Qeverisë për shoqëri me të drejta dhe mundësi të barabarta. Ai veçoi masat e ndërmarra nga Qeveria, në sajë të të cilave janë punësuar mbi nëntë mijë gra dhe vajza, si dhe rritjen e vendeve të punës gjatë 27 muajve të fundit, me 25,970 gra të punësuara ose 58.3% rritje të vendeve të punës për gra dhe vajza”, thuhet në njoftim.
Duke folur për rëndësinë e edukimit si faktor për fuqizimin e vajzave, u përmend mundësimi i studimeve falas, si dhe ndarja e bursave për studime brenda dhe jashtë vendit. Për mbylljen e hendekut në punësim, u veçua ndarja e 1,300 bursa për fushat STEM në vitin e kaluar akademik dhe 1,600 bursa për 2022-23. Ndërsa për të urëzuar edukimin me tregun e punës u theksua pilotimi i arsimit dual me 8 profile të reja për këtë vit në 21 shkolla profesionale, në 14 komuna.
Në këtë diskutim të përbashkët, morën pjesë edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Kryesuesja e Grupit të Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës, Tinka Kurti, zëvendësuesja e Kryeshefes Ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, si dhe përfaqësueset e FEG: Saxhide Mustafa nga Riinvest, Igballe Rogova nga RrGK, Nora Latifi- Jashari nga GAP, Luljeta Demolli nga QKSGj si dhe Rrezarta Krasniqi nga D4D