Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot Vasfije Krasniqi Goodman, ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës dhe zërin e fuqishëm në avokimin për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, përcjell KosovaPost.
Sipas njoftimit për media nga Zyra e Kryeministrit, Goodman ndau observimin e saj lidhur me punën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.
Tutje në njoftim thuhet se gjatë takimit u diskutua edhe fillimi i punës në dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë përmes Institutit të themeluar rishtazi.
Kryeministri Kurti ka falënderuar Goodman për rolin e saj, angazhimin e pareshtur, kurajën e pashoq për avokimin e të drejtave të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm.