Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër falënderimi kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, nëpërmjet së cilës i ka shprehur falënderimet për ndihmën që autoritet kroate ofruan në aksidentin që ndodhi në Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë.
Kurti tha se reagimi i shpejt i autoriteteve kroate pas aksidentit tragjik, trajtimi mjekësor i të lënduarve dhe strehimi i udhëtarëve të tjerë ka shpërfaqur vlerat dhe shpirtin bujar të popullit kroat.
“Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona”.
“Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë”, thuhet në letër falënderimin që Kurti ia dërgoi kryeministrit kroat, Plenkoviq.
Në letër Kurti e siguroi kryeministrin kroat se Kosova do të mbajë gjithmonë në zemrën dhe derën hapur për miqtë si ta.