Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar shqiptarët të cilët jetojnë në Serbi të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe të pronës në Serbi, proces i cili filloi nga 1 tetori dhe do të zgjasë deri në fund të këtij muaji, transmeton KosovaPost.
Nëpërmjet një video-mesazhi, Kurti tha se shqiptarët që jetojnë në Serbi vazhdimisht përballen me “diskriminimin kombëtar e njerëzor, e së fundmi edhe me pasivizimin e adresave të tyre”.
Sipas Kurtit, ky proces për shqiptarët nuk është vetëm çështje statistike.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që t’i përgjigjeni regjistruesve, duke regjistruar veten e familjarët. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim. T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, tha Kurti.
Përfaqësuesit politikë nga të gjitha partitë politike që përfaqësojnë komunitetin shqiptar në shtetin serb janë zotuar nëpërmjet një deklarate të nënshkruar sivjet se do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Serbi.
Shqiptarët në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë më 2011, ashtu sikurse serbët të cilët jetojnë në Kosovë e bojkotuan procesin e regjistrimit në Kosovë në po të njëjtin vit.
Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë.
Për regjistrim të ri të popullsisë, javën e kaluar mori vendim edhe Qeveria e Kosovës. Ky proces në Kosovë pritet të realizohet në shtator dhe tetor të vitit 2023.