Protestuesit serbë janë grumbulluar sërish në mërkurën në Zveçan, teksa raportohet se janë më të shumtë në numër se një ditë më parë. Edhe në komunën e Zubin Potokut protestuesit janë grumbulluar që në orët e para të mëngjesit të vendosur për të vijuar me protestat. KFOR ka rrethuar komunat me tela me gjemba me qëllim shmangien e përplasjes me protestuesit.
Kryministri i Kosovës, Albin Kurti sot në Bratisllavë është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin special për dialog, Miroslav Lajçak.
Pa takimit me Kurtin Borrell e vlerësoi sërish të rrezikshme situatën në veri si dhe kërkoi që të shtensionohet.
TABELË: JOSEP BORRELL, PËRAFËSUES I LARTË I BE-SË
“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë për të diskutuar tensionet në veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”.
Ndërkaq, Kurti pas takimit me Borrellin dhe Lajçakun tha se rruga përpara është e rrënjosur në demokraci, sundim të ligjit dhe zbatim të plotë dhe të shpejtë tëMarrëveshjes Themelore, ndërsa sulmet e milicisë serbe ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve janë të papranueshme.
Në Forumin e Bratisllavës, Kurti tha se fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri.
ALBIN KURTI, KRYEMINISTËR I KOSOVËS
“Po punojmë shumë të gjejmë rrugëdaljen. S’duhet të jetë rrugë e lakuar, por me dy traka. E para të dilet nga kriza me sundim të ligjit, huliganët në Serbi ose në burg në Kosovë, e më pas ulja e numrit të policisë dhe normalizim të situatës dhe implementimi i shpejtë, i plotë, pa shtyrje e pakushte i marrëveshjes së Brukselit”.
Ndërkaq, Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia e mbështet popullatën serbe në Kosovë dhe beson se të drejtat dhe interesat e saj duhet të mbrohen
Në ndërkohë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon mocion mosbesimi për qeverinë Kurti pas situatës së tensionuar në Veri dhe sanksioneve të SHBA-së ndaj Kosovës.
Një ditë më parë Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleanca veri-atlantike do ta rrisë për 700 numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.
Që nga 26 maji, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur, pas hyrjes në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut të kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave.