Përkundër kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve, për tërheqjen e njësisë speciale të Kosovës, nga veriu, një gjë e tillë nuk po përfillet nga përfaqësuesit e Qeverisë.
Përkundër që ndërkombëtarët po e theksojnë mungesën e koordinimit nga autoritetet kosovare, Sveçla ka thënë se koordinimi me ta nuk mungon.
“Institucionet tona të sigurisë kanë rritur vigjilencën dhe janë në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë rreth këtyre zhvillimeve. Çdo individ apo grup kriminal që synon të përshkallëzojë situatën, të cënojë jetën apo sigurinë e qytetarëve tanë, do të ballafaqohet me forcën e ligjit dhe drejtësinë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se grupet kriminale në veri të vendit, dirigjohen nga Qeveria e Beogradit me urdhërat e të cilëve sipas tij janë sulmuar, KFOR-i, Policia e Kosovës dhe gazetarët.
“Sulmet e ditëve të fundit, janë organizuar nga grupet kriminale të orkestruara nga Beogradi. Ata kanë sulmuar zyrtarë të policisë, pjesëtarë të KFOR-it, gazetarë, si dhe kanë dëmtuar dhe djegur vetura zyrtare e ato të mediumeve të ndryshme. Për më tepër, kanë përhapur mesazhe të rrezikshme përmes mbishkrimeve me simbolet e së kaluarës gjenocidale të Serbisë e të së tashmes agresore të Rusisë, e duke provokuar me flamuj serb në automjete të Policisë”, ka shkruar Svecla.
Ai e ka përmendur edhe arrestimin dhe caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy serbëve të cilët dyshohen se i kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it.
“Ndaj dy kriminelëve që kanë sulmuar të hënën pjesëtarët e KFOR-it, sot është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndërsa gjatë ditës poashtu janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje dy shtetas të Serbisë që po bartnin pajisje ilegale për trazira”, ka thënë ai.