Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se sot në TechPark Prishtina është hapur edicioni i 14-të i KosICT25, ngjarja kryesore që shënon fillimin e muajit të inovacionit, teknologjisë dhe transformimit digjital në Kosovë, October Tech Kosova.
Për dy ditë, më 10 dhe 11 tetor, KosICT25 bashkon profesionistë të teknologjisë, ekspertë digjitalë, sipërmarrës të rinj, akademikë dhe përfaqësues të kompanive ndërkombëtare për të shkëmbyer ide dhe përvoja.
Kurti ka theksuar se kjo ngjarje mbështetet nga Zyra e Kryeministrit dhe organizohet nga STIKK në partneritet me sektorin privat dhe institucional. Ai ka nënvizuar se KosICT25 është një platformë kyçe për promovimin e inovacionit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke vendosur qytetarin në qendër të zgjidhjeve teknologjike dhe duke fuqizuar sipërmarrjen.
“Pas përfundimit të KosICT, në kuadër të October Tech, do të zhvillohen edhe ngjarjet DokuTech dhe Growth Tank, të cilat pasqyrojnë potencialin e jashtëzakonshëm të Kosovës si një qendër inovacioni dhe teknologjie në rajon”, ka njoftuar Kurti.


























