Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës ka përplasur kryeministrin Albin Kurti dhe deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri. Ky i fundit ka thënë se ky institut do të punësojë militantë dhe publikimet do të jenë të pavlera. Për këtë ka reaguar Kurti, i cili i tha Tahirit “mjaft deputeti me shurdhues”.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në seancë plenare ka thënë se me nëpunës civilë nuk do të arrihet të dokumentohen krimet e luftës në Kosovë.
“Nëpunës civil me tri vjet përvojë pune, 45 që do i punësosh aty, nuk arrijnë të bëjnë këtë punë. Publikimet e tyre do të jenë të pavlera. Funksionimi pranë Zyrës së Kryeministrit do ta bëjë edhe më shumë të pavlerë dhe të pabesueshme. Emrat e atyre njerëzve që i publikojnë këto, nënpunësit civilë do ta bëjnë më shumë të pabesueshëm. Prandaj, sot me miratimin e kësaj strukture siç është kështu, është jashtëzakonisht e dëmshme… Punësimi i 45 militantëve në kuadër të këtij institucioni e pamundëson. Ose qe po themi që zyrtarët më të mirë i merrni, jo militantë, prapë nuk janë njerëzit e duhur që të bëjnë këtë punë sepse duhet të kenë grada shkencore ”, ka deklaruar Tahiri.
Më pas ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili deklaroi se Tahiri nuk ka legjitimitet që të marrë fjalën e të flas gjepura.
“Ju porsa treguar se ku e keni mendjen, te punësimi i militantëve, aty e keni mendjen. Këtu bëhet fjalë për vullnet, hulumtim edhe dokumentim të krimeve të Serbisë. Ndërkaq, ju flisni për punësime të militantëve. Në njërën anë e partizoni çështjen dhe dëshironi ta banalizoni me teknikalitete. Vullnetin duhet ta bëjmë institucion dhe prandaj e kemi propozuar këtë gjë. Ju keni qenë vet ministër i Drejtësisë dhe e dimë se çfarë keni bërë. Në këtë kuvend në korrik të vitit 2013, janë amnistuar kriminelët në veri, me mbi 80 vota. Dhe ju keni qenë në atë anë. E kriminelët të cilët në korrikun e vitit 2013, ju më shumë se me 2/3 u keni dhënë aministinë. Ka pasur të tillë që kanë qenë edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Prandaj, nuk keni kurrfarë legjitimiteti që ta merrni fjalën e të flisni gjepura këtu. Mjaft më! Mjaft deputeti me shurdhues! Mjaft! Turp duhet me iu ardh”, ka deklaruar ai.
Debati mes Kurtit e Tahirit ka vazhduar më tej, kur ky i fundit tha se kryeministri do të hyjë në histori që ka hetuar krimet që janë kryer pas luftës në Kosovë.