Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, bashkë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët, ku kanë shkëputur detaje nga takimi i përbashkët, transmeton Kosova Post.
Kryeministri Kurti, ndër të tjera theksoi se si dy shtete “ne duhet ta rrisim bashkëpunimin për më shumë drejtësi dhe barazi në të dy anët e kufirit”. Sipas Kurtit “heqja e barrierave është e domosdoshme” për kalim të lirë të qytetarëve dhe mallrave.
“Biseduam për të gjitha fushat e qeverisjes sonë të mirë” prandaj, sipas tij, sinkronizimi i veprimeve nga të dy shtetet, është shumë i rëndësishëm.
Kryeministri Kurti tha se në parim janë pajtuar për një mbledhje të përbashkët, dhe se janë të interesuar t’i jetësojnë ato 150 marrëveshjet, memorandumet e protokollet e nënshkruara në ato dhjetëra mbledhje të përbashkëta që i kanë realizuar të dy shtetet në të kaluarën.
Javën e fundit të nëntorit mbledhja e përbashkët e të dy qeverive.
Kryeministri Rama, ndërkaq tha që i vjen fort mirë që ta vizitojë Prishtinën, pas një vizite në OKB të New York-ut, “ku çështja e njohjes së Kosovës” ishte një nga përparësitë e tona.
Çështjen e Kosovës ai e cilësoi si “realitet të pakthyeshëm” duke shtuar se:
“Nuk ka asnjë diskutim që në radhë të parë, është e nevojshme që Serbia ta njoh këtë realitet të pakthyeshëm.” Por për fat të keq, sipas tij, “sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake në kufij me Kosovën.”
Manovrat e Serbisë në kufij me Kosovën, ai e përshkroi si “fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur, me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë.”
Ai po ashtu përmendi faktin se qytetarët serbë në Kosovë, nuk mbrohen me këso lloj manovrash. Për çështjen e targave ai tha shkurt dhe prerë:
“E drejta është në anën e Kosovës dhe PIKË!”
Sipas tij, Kosova është e drejtë legjitime dhe e bazuar në marrëveshje të qartë për raporte reciprociteti.
Edhe Kryeministri Rama tha se janë dakorduar për një mbledhje të përbashkët ndërmjet dy qeverive, e cila pritet të mbahet në javën e fundit të nëntorit, në Durrës./KosovaPost/