Kryeministri, Albin Kurti, ka folur sot nga Shkupi për aksionin e policisë e doganës kundër kontrabandës me mallra, të cilët në Mitrovicë e Zveçan u përballën me rezistencë të serbëve lokalë.
Kreu i qeverisë kosovare thotë se nuk do lejohet stabilizim i kriminalitetit e as aktiviteteve të krimit të organizuar, që sipas tij janë shumë etnike.
“Kriminelët serbë e kriminelët shqiptarë bashkëpunojnë pa probleme dhe ne do ta luftojmë këtë. Dje në mëngjes ishte një operacion policor në katër komuna të Kosovës, Pejë, Prishtinë dhe Mitrovicë-jug e Veri ku kriminelë të ndryshëm shqiptarë e serbë po bashkëpunonin. Në këtë rast gjyqtari paraprak dhe prokurori i rastit që urdhëruan aksionin, ishin serbë. Edhe policët e lënduar disa ishin shqiptarë e disa serbë”, theksoi Kurti.
“Është e gabuar që të etnizohet apo politizohet lufta kundër krimit të organizuar. Duhet të bashkëpunojmë si gjashtë vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor kundër krimit të organizuar, i cili si veti më gjasë është më i integruar sesa që jemi vetë ne”, shtoi Kurti në panelin e organizuar nga revista “The Economist” dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu e quajti të mirë ujdinë me Serbinë që u arrit më 30 shtator në Bruksel dhe se me të iu dha fund krizës në kufi dhe zbatohet masa reciproke për targat e automjeteve.
“Do të doja që të mos kemi letra ngjitëse në simbolet tona shtetërore në targat e makinave, por nëse Serbia i përdor këto, edhe neve na duhet ta bëjmë këtë gjë. Shikoj përpara për ditën kur reciprociteti nuk do jetë reciprocitet barrierash por do t’i heqim këto masa të gjitha së bashku”.
Duke folur për zhvillimet ekonomike në Kosovë, Kurti tha se për sivjet qeveria parasheh që rritja të jetë deri në 10 përqind.
Nga Shkupi, ku edhe u nënshkrua para disa javësh nisma Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Veriut, e quajtur “Ballkani i Hapur”, Kurti sqaroi se Kosova mbështetë idetë e bashkëpunimit rajonal që rrjedhin nga “Procesi i Berlinit” e jo ndonjë tjetër.