Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është duke vazhduar seanca, ndërsa kritikat e opozitës nuk kanë pushuar në drejtim të qeverisë, shkruan Kosova Post.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, iu është kundërpërgjigjur kritikave nga disa deputetë opozitarë, të cilët kanë thënë që Kurti, është larg për t’i realizuar premtimet.
“Nëse do të ishim ngadalësuar, do t’i kishim braktisur premtimet tona…” – ka thënë ai, duke aluduar në faktin që ai po synon shuarjen e AKP-së dhe ndryshimeve të ngjashme të nevojshme e të shpejta.
Duke i kritikuar opozitarët, për hezitimet që ata po i shfaqin, pikërisht për shuarjen e AKP-së, ai tha:
“Pra gjërat e mira mund të vijnë ngadalë, por gjërat e këqija duhet të ndalen shpejt.”
“Prandaj e kemi këtë shpejtësi pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, sepse premtimet i kemi pasur të tilla. Nëse do të ishim të ngadalësuar, do t’i kishim braktisur zotimet tona, e do të kishim devijuar nga premtimet që ua kemi dhënë ne qytetarëve” – është shprehur më tej Kurti.
Ai edhe paradite premtoi ndërhyrje të shpejt në këtë drejtim, ndërsa është kritikuar ashpër nga opozita./KosovaPost/