Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po e vazhdon vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga SHBA-ja, kryeministri Kurti ka folur për mbledhjen e qeverisë që u mbajt të hënën, ku janë vendosur sanksione ekonomike për Rusinë dhe Bjellorusinë.
Për më tepër, kryeministri Kurti ka thënë se “Republika jonë është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, në raport me situatën atje, e në përputhje me paketën e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe ShBA, vendosëm sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Vendosëm masa kufizuese edhe ndaj Grupit Wagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi”.
Postimi i plotë:
Në mbledhjen e 78 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuam vendime të rëndësishme për Republikën dhe për sigurinë e paqen ndërkombëtare.
Republika jonë është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, në raport me situatën atje, e në përputhje me paketën e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe ShBA, vendosëm sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Vendosëm masa kufizuese edhe ndaj Grupit Wagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi.
Me qëllim të mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, vendosëm masa restriktive për terrorizëm ndaj ISIL (Da’esh), Al-Qaeda dhe personave fizikë dhe juridikë, subjekteve ose strukturave tjera të lidhura me to.
Duke marrë parasysh nevojën për krijimin e mekanizmave sa me efikas, miratuam Projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara.
Po ashtu, plotësuam Programin Legjislativ për vitin 2022 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Miratuam nismën për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Arkivave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit.
I hapëm udhë bashkëfinancimit të bursave të arsimit të lartë në nivelin master me miratimin e nismës për marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës.