Kryeministri Albin Kurti ka thënë se mbrëmë fitoi opozita e sonte duhet të fitojë shteti kur të zgjidhet Vjosa Osmani presidente në seancën e caktuar për presidentin në ora 18:00, përcjell Kosova Post.
“Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti. Zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë”, ka shkruar ai.
Kurti ka shkruar në Facebook se pasi nuk kishin 2/3 e pranishmëve mbrëmë në sallë nuk arritën për ta proceduar projektligjin për zgjedhjet.
“Pas fitores me 50,28% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne jemi shumica në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë deputetët tanë ishin shumica, por nuk ishin 2/3 e të pranishmëve. Nuk arritëm të procedojmë me projektligjin që ua mundëson mërgatës të votojë në ambasadat e konsullatat tona”, ka thënë ai.