Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, pas përballjes me Presidentin Aleksandër Vuçiq, ka dhënë një deklaratë për media, ku ka njoftuar se çka konkretisht kanë kërkuar ata nga pala serbe, shkruan Kosova Post.
Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media, menjëherë pas takimit me Vuçiqin, tregoi se ata kanë shtruar në tavolinë katër çështje konkrete.
1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.
Kurti, po ashtu tregoi se nga pala serbe kërkoi njohjen e Kosovës.
“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në këtë proces, por nuk jemi ende të sigurte për sa i përket përmbajtjes së agjendës” – ka thënë ndër të tjera ai./KosovaPost/