Kryeministri Albin Kurti, në replikë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për energji nuk janë të mira, por se gjendja në terren është më e keqe se marrëveshjet e këqija.
“Së pari, do të kemi një kompani furnizimi që operon nën kornizën ligjore dhe rregullative të Republikës së Kosovës, së dyti, edhe licencimi është i kushtëzuar, së treti, marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 nuk janë të mira, së katërti, gjendja në teren është shumë më e keqe se marrëveshjet e këqija, dhe prandaj ne kemi bërë udhërrëfyesin më të mirë të mundshëm në këtë kontekst politik”, tha Kurti në foltoren e Kuvendit, transmeton Klankosova.tv.
“Unë nuk kam ndryshuar as koncept, as qëndrime, as qëllime, mirëpo kam metoda të cilat për konceptin dhe qëllimin e njëjtë bëjnë më të mirën të mundshme në kohën që është e ngopur me trashëgimi të mbrapshta. E bëj minimumin e pranimit të realitetit, për maksimumin e ndryshimit”, u shpreh tutje kryeministri.
Në fjalën e tij, Abdixhiku tha se Kurti nuk mund t’i ikë qëndrimeve të tij paraprake me kaq lehtësi.
“Kryeministri ka nevojë t’i bëj dy sqarime bazike, a është marrëveshja e mirë apo nuk është. Nëse është e mirë, atëherë po kthehet legjitimiteti në veri dhe po mblidhen të hyrat pas 20 viteve. Por nëse nuk është e mirë, siç po ju citoj juve kryeministër, duhet të flasim për legalizimin e Serbisë në Kosovë dhe në veri”, tha Abdixhiku.
“Nuk mund të sillesh as mish e as peshk. Ose është trashëgimi, ose është meritë e juaja”, shtoi deputeti.