Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për zhvillimet në veri ka thënë se kryetarët e komunave janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë brenda ndërtesave.
Ai ka thënë se për këtë, ata e kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë.
“Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve.Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë. Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim”, ka thënë Kurti në një video mesazh të publikuar në Facebook.
Kurti duke folur për zhvillimet dhe situatën e përshkallëzuar në veri, ka thënë se të hënën u dëshmua që kanë të bëjnë me grupe të së djathtës ekstreme.
Ai ka thënë se kriminelët kanë emra, ndërsa ka shtuar se e di që në mesin e protestuesve ka edhe qytetarë paqësor.
“Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor. Por protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim”, ka thënë Kurti.
Ai është shprehur se Policia e Kosovës dhe KFOR-i, atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore.