Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Bruksel për vizitë zyrtare, që nga e marta.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti ka zhvilluar takime të shumta më përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, duke përshirë këtu edhe takimin me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Gjatë takimit me Borrell-in, Kurti ka treguar se pse e ka refuzuar takimin e 11 majit me Serbinë në Bruksel.
Ai ka thënë ia ka bërë të ditur Borrell, se nuk do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiq më 11 maj.
“Pa u pajtuar të gjithë nuk mund të kemi datë të takimit dhe as agjendë të takimit. Unë do të vijë serish në Bruksel, në një darkë pune, organizuar nga Josep Borrell, me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor. Sot shpreha qëndrimin tonë se takimi më 11 maj nuk është në interesin tonë sepse kemi agjendë tjetër, por që kjo të mbahet në qershor. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për dialog parimor, ku bashkëbiseduesit janë të barabartë. Ne duhet të përgatitemi mirë për dialog”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, Kurti e ka konfirmuar rifillimin e dialogut në muajin qershor, duke shtuar se kanë nevojë për të përgatiten.
“Ka disa korniza kohore që janë vendosur në tavolinë. Ne në kabinetin qeveritar do ta aprovojmë planin qeverisës dhe planin e punës. Pastaj ky plan do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për diskutim. Prandaj ne kemi nevojë të kemi më shumë informacion dhe dokumente rreth marrëveshjeve të arritura të mëparshme në mënyrë që të përgatitemi”, ka theksuar ai.
Më tej, Kurti ka theksuar se do të takohen me partitë opozitare në Kosovë, në mënyrë që të kenë një dialog pa gabime.
“Në të njëjtën kohë ne do të takohemi me partitë opozitare në Kosovë në mënyrë që të kemi edhe mendimet e tyre. Të kemi një dialog me principe dhe mirë të përgatitur. Nuk duam të bëjmë gabime, prandaj përgatitja e mirë do të thotë që e marrim shumë seriozisht. Fillimisht do të kemi këtë takimin e liderëve të Ballkanit perëndimorë këtë darkë pune dhe muajin qershor, diku mund të kemi fillimin e kapitullit tjetër të dialogut me praninë edhe të ndërmjetësueseve të BE-së”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ahmeti: Iniciativa e Kurtit dëshmon seriozitet dhe unifikim
Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se qëndrimi i Kurtit është parimor dhe nëse vazhdohet kështu, Kosova do të jetë e barabartë në dialog.
“Qëndrimi i kryeministrit Kurti lidhur me dialogun është parimor dhe brenda kornizës shtetërore, e cila dëshmon se dialogu Kosovë-Serbi do të merr një kaheje tjetër. Nëse vazhdohet me këtë logjike, Kosova do të jetë palë e barabartë në dialog dhe nuk do të përsëritet logjika e nënshtrimit siç ka ndodhur me tani. Vetëm në këtë mënyrë shteti i Kosovës dhe institucionet e saj mund të dëshmojnë substancën e shtetësisë, që ka munguar deri më sot në raport me Serbinë”, ka potencuar ai për “Bota sot”.
Ahmeti ka treguar se çfarë do të thotë iniciativa e Kurtit për tu koordinuar më opozitën në çështje e dialogut.
“Iniciativa e Kurtit edhe me koordinimin dhe bashkëpunimin me opozitën dëshmon për një seriozitet në këtë çështje dhe unifikim në çështjet që janë me interes të shtetëror”, ka vlerësuar ai.
Po ashtu, ai ka treguar se çfarë duhet të bëjë opozita në këtë rast.
“Opozita nuk duhet të injorohet, por duhet të jetë palë e barabartë në dialog dhe të jetë e përfaqësuar në ekipin negociator. Kjo do të ishte një mundësi e mirë për një përfaqësim sa më të mirë e dinjitetshëm në dialogun Kosovë –Serbi”, ka deklaruar Ahmeti.
Krasniqi: Kosova ka pasur nevojë për një platformë të përgatitur mirë për dialog
Kurse, analisti politik Islam Krasniqi, në nja bashkëbisedim e ka mirëpritur këtë platformë për dialogun.
“Gjithmonë kemi pasur nevojë për një platformë të përgatitur mirë më të cilën do të merrni pjesë në dialog, pasi që çdo gabim do të na kushtoj”, ka thënë ai.
Po ashtu, Krasniqi ka thënë se iniciativa e Kurtit për dialog tregon se Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur që në Bruksel si shtet i barabartë.