Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë që sot e kanë realizuar premtimin që e kanë bërë lidhur me pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijët, nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.
Në një konferencë për media, Kurti tha që kjo mbështetje për gratë dhe fëmijët është “vlerë dhe botëkuptim i kësaj qeverie”.
“Sot po e realizojmë një zotim tonin, pa u bërë ende gjashtë muaj në qeverisje po fillojmë mbështetjen për lehonat dhe shtesat për fëmijët. Përveç premtim zgjedhor, kjo mbështetje për gratë dhe fëmijët është vlerë dhe botëkuptim i kësaj qeverie. Ne jemi zotuar para qytetarëve se do ta rrisim mirëqenien e tyre dhe do ta ulim varfërinë. Këto janë dy prej kritereve më të rëndësishme me të cilat do të vlerësohemi”.
“Përmes zbatimit të masës 3.5 lidhur me pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijët, nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, po dëshmojmë se në Kosovë tani qytetetarët dhe nevojat e tyre janë pikënisje e politikave të qeverisjes”.
“Ne duam ti mbështesim gratë sepse synojmë shoqëri të barabartë. Për ne barazia nuk kufizohet vetëm me mundësi të barabarta por arrihet kur mundësit marrin nevojat dhe kanë rezultat të barabartë. Me këtë formë të mbështetjes po e fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri. Po kujdesimi për mirëqenien e saj financiare derisa ajo po kujdeset për fëmijën”, është shprehur Kurti.
Ndërsa ministri Hekuran Murati tha se pagesat për nënat do të shkojnë direkt në llogaritë e tyre.Sipas Muratit përfituese do të jenë të gjitha ato nëna mbi moshën 18 vjeçare.
Murati ka thënë se ato që nuk figurojnë të punësuara që 12 muaj në ATK përfitojnë 170 euro për 6 muaj kurse ato që figurojnë të punësuara përfitojnë 170 euro për 3 muaj, raporton EO.
“Fuqizimi i pozitës së gruas në shoqëri është një prej qëllimeve të kësaj Qeverie. Këto masa synojnë forcimin e pozitës financiare të gruas. Pagesat që do të bëhen nga kjo pako bëhet direkt në llogaritë e grave. Kjo masë përfshinë pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijë”.
“Pagesa kryet për të gjitha gratë mbi moshën 18 vjeçare dhe që nuk figurojnë të punësuar në 12 muajt e fundit prej 170 euro për 6 muaj, kurse lehonat e punësuara do të përfitojnë mbështetje financiare 170 euro për 3 muaj”.
Poashtu Murati bëri me dije se shtesat e fëmijëve do të fillojnë të ndahen qysh tani.“Për fëmijët nga 0 deri në 24 muaj do të jetë 20 euro kurse 24 deri 16 vjet nga 10 euro”, ka thënë ai.Gjatë konferencës u bë edhe demonstrimi i një aplikimi përmes platformës online E-Kosova për të qenë përfitues për këto dy pika nga masa 3.5.