Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka realizuar një vizitë në Trepçë, transmeton Kosova Post.
Pasi tregoi për planet e qeverisë për sa i përket ndërmarrjes Trepça, përkatësisht investimet në këtë ndërmarrje, ai ndër të tjera tha se:
“ Si kryeministër i Republikës së Kosovës, zotohem se nuk do të ketë individë, as grup, më të fuqishëm se shteti. Ata të cilët, si individë ose grupe, synojnë a dëshirojnë të jenë më të fuqishëm se shteti, ata bien ndesh me ligjin dhe kushtetutshmërinë tek ne. Ne jemi republikë, jemi demokraci, jemi qeverisje e mirë, andaj ushtruesi i detyrës së kryeshefit, është Enis Abdurrahmani dhe ai e ka mbështetjen time të plotë bashkë me zotin Bahri që është kryesues i bordit këtu.”
Ai foli edhe për rastin e sulmit fizik, duke thënë se viktimave iu është bërë thirrje që t’i tërheqin deklaratat në polici:
“Kjo është e pashembullt dhe nuk do të ndodhë!” – siguroi Kurti. Ai tha që udhëheqësia e sotme e Trepçës, e ka mbështetjen e plotë të tij dhe të ministres Rizvanolli.
Ai po ashtu premtoi investime në avancimin e teknologjisë, duke premtuar edhe shtim të numrit të punëtorëve.
“Kemi një qeveri që më së shumti ka dhënë për Trepçën. Nuk e ka ndalë dorën as këtë vit” – u tha nga kryetari i Bordit të Trepçës Bahri Hyseni.
Edhe Ministrja Artane Rizvanolli premtoi mbështetje për Trepçën:
“Dua të falënderoj bordin për punën që e ka bërë për vendosjen e ligjshmërisë në ndërmarrjen e Trepçës, si dhe për raportimin për krimet ekonomike”. Ajo po ashtu premtoi mbështetje për Trepçën. “Siç e tha kryeministri, ne jemi të interesuar që Trepça të performoj më mirë.”
Ministrja tha që për t’i arritur objektivat, duhet një bashkëpunim i ngushtë me të gjithë faktorët.
Edhe ushtruesi i detyrës Enis Abdurrahmani i falënderoi për mbështetjen./KosovaPost/