I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi nga Beogradi se nuk i ka dhënë afate Kosovës, siç është raportuar një ditë më parë, në lidhje me 3 kërkesat e tyre. Ai paralajmëroi se Asociacioni do të formohet me qeverinë aktuale të drejtuar nga Albin Kurti ose me ndonjë qeveri të ardhshme.
Lidhur më këtë është deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se nuk ka marrë asnjë ultimatum nga ndërkombëtarët sa i përket situatës në veri.
Kurti ka thënë se në takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, u ka ofruar mënyrën e sigurt për të dalë nga kriza në veri, të cilën ka thënë se e kanë shkaktuar strukturat ilegale të Serbisë.
“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale.E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, Policë të Kosovës dhe Gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”, ka theksuar Kurti, në një deklarim për media pas aktivitetit të xhudos që është mbajtur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Situata në tri komunat veriore të Republikës së Kosovës u tensionuar më 26 maj kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill u penguan të hyjnë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale dhe hynë vetëm me asisitimin e Policisë së Kosovës. Serbët kundërshtojnë kryetarët e zgjddhur, madje këtë e bëne dhe në mënyrë të dhunshme më 29 maj kur plagosën 30 ushtarë të KFOR-it.