Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sonte është takuar me emisarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me të dërguarin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kurti tha se ky ishte një takim përgatitor për çështjet që do të diskutohen nesër.
“Mirë shkoi takimi, ishte takim përgatitor se çka zhvillohet nesër. Janë dy tema elementare, ajo e kornizës së përgjithshme për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe tjetra ka të bëjë me çështjet aktuale, ku pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale”, ka thënë Kurti për Kanal 10.
Ai tha se “dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.
“S’kemi qëllime të njëanshme dëmtuese, por mendojmë që reciprociteti është për marrëdhënie paqësore”.
I pari i vendit foli edhe për lirinë e lëvizjes, ku tha se për ta pasur atë duhet të ketë vetëm rrugë legale, ato ilegale duhet të mbyllen.
“Për të pasur liri të lëvizej duhet të ketë vetëm rrugë legale, ato ilegale duhet të mbyllen… Sa i përket vendkalimeve kufitare po e bëjmë atë që Serbia e bën tash e 11 vjet”, ka shtuar ai.
Ai tha se vendimi i qeverisë së vendit është sovran, dhe se janë marrë vesh edhe me partnerët ndërkombëtarë që më 1 shtator të nisë lëshimi i dokumenteve të identifikimit.
Ai po ashtu tha se askush nuk mund ta kufizojë policinë e Kosovës në luftimin e krimit.