Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në qeveri ambasadorin e ri të Francës, Olivier Guerot, transmeton KosovaPost.
Guerot ka rikonfirmuar qëndrimin e Presidencës së Francës dhe Qeverisë franceze për shtim të angazhimit dhe rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe në Kosovë në veçanti.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për angazhimin e Presidentit Macron, të shprehur në qershor, për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai vlerësoi lart përfshirjen e ripërtërirë franko-gjermane në rajon, për procesin e Berlinit dhe për zgjidhjen e dialogut me Serbinë, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këto procese”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Media të Kryeministrisë.
Në këtë takim gjithashtu janë pajtuar të dy palët që Franca të ketë prezencë më të shtuar në Kosovë, përfshirë edhe investitorët francezë.
“Gjatë takimit u rikonfirmua edhe gatishmëria e të dy shteteve, për të pasur më shumë prezencë të Francës në Kosovë, përfshirë edhe investitorët francezë, e duke theksuar potencialin e mërgatës nga Kosova. Në këtë drejtim, kryeministri potencoi se mirëpresim përfshirjen e Agjencisë Franceze të Zhvillimit, si një aktor i rëndësishëm”, thekson komunikata.
“Duke vlerësuar diversitetin e bashkëpunimit bilateral, u bisedua në mënyrë specifike për bashkëpunimin ndërmjet ministrive përkatëse të drejtësisë, për aktivitetet e shumta që kanë të bëjnë me kulturën dhe sportin, por edhe bashkëpunimi i përgjithshëm në diplomacinë publike. Po ashtu u veçua bashkëpunimi shkencor në misionin arkeologjik Francë-Kosovë, si dhe nisma e qershorit të kaluar me kryetarët e komunave, që duket premtues për sa i përket binjakëzimit dhe urave të ardhshme mes komunave dhe shteteve tona”, njofton komunikata.