Në ditën e dytë të qëndrimit në Tokio, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rezidencën shtetërore në Pallatin Akasaka, është pritur për vizitë nga Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida.
“I shpreha edhe njëherë ngushëllime në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës për vdekjen tragjike të ish Kryeministrit Shinzo Abe, si dhe e falënderova për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme japoneze për zhvillimin e Kosovës”, shkroi Kurti në Facebook.
Ai më tutje theksoi se ka njoftuar Kryeministrin e Japonisë për të arriturat socio-ekonomike të Kosovës dhe interesimin për investime nga Japonia dhe se ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO Osaka 2025.“Japonia është vend shumë i rëndësishëm i G7, me të cilën ne ndajmë pikëpamje të njëjta vlerore dhe strategjike. Në fund të takimit Kryeministri Kishida më tha të përcjell përshëndetjet e tij për popullin e Kosovës, kurse unë e ftova ta vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt”, shkroi Kurti.