Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, i ka kritikuar deputetët e partive opozitare, për mungesë idesh për ta kritikuar qeverinë, shkruan Kosova Post.
“Edhe në këtë kuvend edhe në media unë kam folur për kriminelët e luftës dhe paqes, nuk e kam thënë për herë të parë në Bruksel. Serbia e din për kënd e kom pas fjalën, nuk e di pse në Kosovë lajmërohen disa. Unë nuk besoj që ka luftëtar të UÇK që janë kriminelë të luftës, por unë besoj që kriminel të luftës nuk ka vetëm në Serbi, por ka edhe në veri, në Bosnje e mund të ketë edhe në Mal të Zi”, sqaroi ndër të tjera Kurti, pas akuzave të adresuar në drejtim të tij, kinse për deklerata anti-UÇK.
Për më shumë, Kurti, përveç që i ka cilësuar si të paarsyeshme këto akuza, ai ka shtuar se rreziku më i madh për qeverinë, është mungesa e kritikës përmbajtjesore.
“Më lejoni t’ju them që unë këtu shoh një lloj paaftësie për të na bërë kritikë, dhe rreziku më i madh për qeverinë është mungesa e kritikes, ne nuk kemi rrezik tjetër. Ne kemi problem të madh me juve se jeni të paaftë me ba kritikë. Ne nuk po shohim e as nuk po e dëgjojmë kritikën e opozitës”, ka thënë Kurti.
Ai i ka ofruar “ndihmë” opozitës në këtë aspekt:
“Më lejoni të shpreh gatishmërinë time për bashkëpunim edhe në këtë çështje. Mund t’ju jap ide se si të na kritikoni, unë nuk bëjë ofertë pa kërkesë Nëse na bëni kritikë vetëm duke shpifur, kjo tregon paaftësinë tuaj për kritikë”, tha në fund ai. /KosovaPost/