Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti do të takohet më 18 gusht me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel, përcjell Kosova Post.
Vetëm dy ditë para këtij takimi të shumëkomentuar, Kurti ka njoftuar se sot ka pasur një bisedë telefonike, siç e quan ai të frytshme, me këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet.
Kurti ka thënë se me Chollet ka biseduar lidhur me dialogun me Serbinë, duke u fokusuar te nevoja për arritjen e një marrëveshjeje të qendërzuar në njohje reciproke.
I pari i Qeverisë ka theksuar se Chollet ka përcjellur përshendetjet e Sekretarit Blinken pas një takimi që e kishin muajin e kaluar në Uashington.
“Një bisedë e frytshme telefonike me këshilltarin e Departamentit të Shtetit (Derek Chollet), lidhur me shumë çështje përfshirë dialogun me Serbinë; rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje të qendërzuar në njohje reciproke. Ai përcolli përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas takimit tonë të mrekullueshëm në Uashington në muajin e kaluar”, ka shkruar Kurti.
Duke i paraprirë takimit në Bruksel me Vuçiqin, Kurti ka deklaruar se është negociator i ashpër, por se i respekton marrëveshjet e arritura, ndërkohë që liderët serbë takimit po i paraprijnë me deklarata mosbesuese ndaj Kurtit, duke ngritur dyshime mbi qëllimet e tij paqësore në rajon.
Ndryshe, Kurti e Vuçiq do të takohen në Bruksel, të enjten.