Shefeja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka mohuar se ka ndërhyrë te kryeparlamentari Glauk Konjufca për ndërprerjen e seancës plenare, në të cilën duhej të votohej për tërheqjen e parave të Trustit.
Ajo në një konferencë për media, ka theksuar se seanca e sotme nuk është ndërprerë për shkak të bllokimit të mazhorancës.
“Sot ajo çfarë ndodhi në seancë ishte humbja e kuorumit si rrjedhojë e mos pjesëmarrjes në votim të opozitës. Dhe kjo situatë tashmë për një kohë të gjatë po përsëritet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, nuk ishte mazhoranca ajo që e bllokoi, ishte vetë opozita që refuzoi të jetë aktive në pikat të cilat ishin në agjendë për tu trajtuar sot, sipas dakordimin në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ajo ka përsëritur qëndrimin kundër tërheqjes së mjeteve të qytetarëve nga Trusti.
“Vota jonë është kundër propozimit të opozitës për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale… Nuk e di se ku po i marrin këto informacione opozita ose PDK, ose çfarë argumenti kanë për këtë lloj informacioni. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca është tërësisht kompetent, profesionist dhe natyrisht ka treguar deri më tash se ka qenë tepër korrekt në udhëheqje të seancës dhe një akuzë e tillë, absolutisht e pabazuar e tregon dëshpërimin opozitës për të vepruar ndryshe apo sipas metodave demokratike brenda në seancë”, ka thënë ajo.