Ndeshja hapëse e ‘Euro 2020’, ka filluar me këmbë të mbarë. Me gjithë kufizimet të cilat i imponoi situata e shkaktuar nga pandemia, vëmendja ndaj kësaj feste sportive, është mjaft e lartë, shkruan Kosova Post.
Ndeshja hapëse ndërmjet Italisë dhe Turqisë, ishte spektakël. Ashtu siç pritej, italianët treguan epërsi karshi turqve, duke i gjunjëzuar me rezultat përfundimtar 3 me 0.
Me rezultat të ngjashëm e mposhti edhe Belgjika – Rusinë, por ndeshja më drithëruese ishte ajo ndërmjet Holandës dhe Ukrainës. Rezultati përfundimtar i kësaj të fundit mbeti 3 me 2, por që deri në sekondat e fundit, nuk dihej se si do të mbyllej ajo.
Ndonëse është herët për të parashikuar epilogun e kampionatit, Belgjika pritet ta kalojë grupin pa vështirësi, e ndjekur edhe nga Italia e Holanda.
Stadiumet e qyteteve në Mynih, Sevilë, Romë, Baku, Shën Petersburg, Budapest, Bukuresht, Amsterdam, Glasgou dhe Kopenhagë, do të përjetojnë thirrje, britma gëzimi e dëshpërimi. Ndërkaq Londra, përkatësisht stadiumi i Wembley-t, do t’i mirëpres finalistët.
Ekspertët e futbollit kanë radhitur edhe skuadra të tjera favorite, si Franca e Spanja. Duke mos i anashkaluar edhe skuadrat e tjera “problematike” si Anglia e Portugalia të cilat pritet të tregojnë, po ashtu forcë.
Natyrisht nuk mund të harrohet kombëtarja Gjermane, e cila viteve të fundit ka pësuar një rënie, në kuptimin e performancës. “Pancerëve” nuk iu dihet, megjithatë, fati i tyre i keq është se kanë qëlluar në të ashtuquajturin grupin e vdekjes. Ky grup, Grupi F, përbëhet edhe nga Franca, Portugalia dhe Hungaria.
Portugezët e udhëhequr nga Ronaldo, kanë një skuadër të konsoliduar mirë në të gjitha repartet, andaj përballja me ta, nuk do të jetë e lehtë.
Pra, cila kombëtare do ta rrëmbej trofeun e më të mirës në Evropë?/KosovaPost/