Përgatitjet për seancën konstituive ende nuk kanë filluar. Certifikimi i rezultateve nga ana e KQZ-së (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve), po vonohet për shkak të vendimeve të fundit të PZAP-së (Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa).
Por fituesja e këtyre zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje (LV), i ka të sigurta votat për “Qeverinë Kurti II”. Ndërkaq, enigmatike mbetet çështja se kush do të jetë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar, shkruan Kosova Post.
Me gjithë përpjekjet tona për të mësuar diçka më tepër, nga ky subjekt, ngurrojnë të deklarohen rreth kësaj çështjeje.
Ajo çfarë dihet është se kryeministri i ardhshëm Albin Kurti, është zotuar që në kabinetin e tij do të jenë të paktën 5 gra ministre.
“Ne për asnjë gjë nuk do të bimë më poshtë se që kemi qenë, ju e keni parasysh se në qeverinë e mirë të pranverës 2020-të, më pak se 5 nuk do të kemi, do të shikojmë se çka do të bëjmë edhe më shumë” – vuri në dukje Kurti, para disa ditësh.
Edhe pse të mbyllur “hermetikisht”, për sa iu përket deklarimeve rreth çështjes së përbërjes së qeverisë në ardhje, disa emra kanë nisur të qarkullojnë në opinionin publik (në kuptimin se ata do të jenë ministrat e ardhshëm). Por të gjitha këto zyrtarët e LV-së i kanë cilësuar si spekulime.
Ndër këta emra, Albulena Haxhiu, Rozeta Hajdari e Harullaj Çeku, janë më të përfolurit në këtë drejtim.
E kontaktuar nga Kosova Post, ish ministrja Albulena Haxhiu tha që rreth kësaj çështjeje, ende nuk është vendosur:
“Nuk është që i kemi ndarë përgjegjësitë. Ajo çfarë dihet është emri i kryeministrit dhe kandidates për presidente. Sapo të vendosen në organet tona për emrat e ministrave, padyshim që ne do t’i bëjmë publik ata. Unë do të jem aty ku e sheh të rëndësishme organizata jonë dhe Kryeministri Kurti.”
Sipas saj, qytetarët, por edhe mediat, kanë të drejtë t’i shprehin dëshirat e tyre për sa i përket kabinetit Kurti, por këto mbeten në nivel spekulimesh, meqë sipas saj, ende nuk është vendosur se “kush ku do të jetë” dhe se çfarë përgjegjësish do të marr në qeverinë e re.
Spekulimet rreth përbërjes së qeverisë së ardhshme, përfshijnë kryesisht emra të cilët edhe më parë kanë qenë të ngarkuar me detyra të tilla. Ish ministrja Rozeta Hajdari, po ashtu është ndër emrat e lakuar.
Burime të afërta me LV-në, përmendin edhe Hajrullah Çekun, i cili pritet të marr një pozitë me rëndësi. Duke iu referuar CV-së së tij, ai mund të vihet në krye të cilësdo nga këto dy ministri, asaj të ambientit dhe të kulturës. Kosova Post nuk ka arritur ta kontaktoj atë, për t’i konfirmuar të gjitha këto çfarë janë përfolur rreth tij.
Iu kujtojmë që në kabinetin e “Qeverisë Kurti I”, Albulena Haxhiut iu pat besuar Ministria e Drejtësisë, Hykmete Bajramit – Ministria e Arsimit; Vlora Dumoshit – Ministria e Kulturës; Rozeta Hajdarit – Ministria e Ekonomisë dhe Emilia Rexhepit – Ministria e Administratës./KosovaPost/