Në ditën e 27 të Ramazanit, besimtarët muslimanë në Xhaminë Al Aksa, u përballën me një dhunë të pajustifikueshme të shkaktuar nga forcat izraelite, shkruan Kosova Post.
Brutaliteti i shfaqur në Jerusalem nga forcat e rendit, u ndëshkua ashpër jo vetëm nga vendet islame, por edhe nga ato perëndimore.
“Sulmimi në një vend adhurimi, në çdo kohë është i dënueshëm, por sulmi në një xhami gjatë Ramazanit është plotësisht i pajustifikueshëm. Po ashtu, akti përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Izraeli duhet të marrë parasysh thirrjet për të ndaluar dhunën menjëherë” – ka shkruar në twitter Ministrja e Parë e Skocisë, zonja Nicola Sturgeon.
Mbi 200 të plagosur, sipas Al Jazira-s, nxitën zemërimin e mijëra besimtarëve muslimanë palestinezë, të cilët u përballën me forcat izraelite të rendit, për disa net me radhë. Në esencë, planet e Izraelit për t’i dëbuar familjet palestineze nga Sheik Jarrah, hasën në një rezistencë të fortë.
Por dhunën e kanë dënuar ashpër edhe vendet perëndimore. Bashkimi Evropian (BE), nëpërmjet një reagimi zyrtar e cilësoi brutalitetin e shfaqur nga forcat izraelite, si të papranueshëm.
“Dhuna, nxitja e dhunës janë të papranueshme dhe autorët nga të gjitha anët duhet të mbajnë përgjegjësi,” tha një zëdhënës në një deklaratë.
“Bashkimi Evropian u bën thirrje autoriteteve të veprojnë urgjentisht për të zbutur tensionet aktuale në Jerusalem.”
Reagime pati edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA-të), të cilat i panë “me shqetësim” këto zhvillime.
Përveç dhunës, ShBA-të kërkuan të ndërpriten “hapat e njëanshëm”, duke i përmendur këtu edhe planet për dëbimin e popullatës vendase.
“Është thelbësore të shmangim hapat e njëanshëm që do të përkeqësonin tensionet ose do të na çonin më larg paqes. Dhe kjo do të përfshinte dëbimet, aktivitetet e vendosjes dhe shkatërrimet e shtëpive ”, u tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA Jalina Porter, gazetarëve në Uashington.
Për më shumë, disa ligjvënës demokratë, i cilësuan dëbimet në Jerusalemin Lindor: të neveritshme!
Demokratët i kanë bërë thirrje administratës së Biden, për t’i bërë të qartë qeverisë Izraelite se dëbimi i palestinezëve nga shtëpitë dhe tokat e pretenduara nga kolonët hebrenj në Jerusalem, duhet të ndalet menjëherë.
Bernie Sanders, Elizabeth Warren, Chris Van Hollen dhe Chris Murphy i kanë bërë thirrje Izraelit të ndalojë përpjekjet për dëbimin e banorëve palestinezë nga shtëpitë e tyre në lagjen Sheik Jarrah të Jerusalemit Lindor, bazuar në pretendimet e kolonëve hebrenj, ndërsa Alexandria Ocasio-Cortez , Gregory Meeks, Andy Levin, Pramila Jayapal dhe Ayanna Pressley gjithashtu shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me ngjarjet.
Kombet e Bashkuara (KB), po ashtu kanë dhënë një deklaratë të fortë, duke e theksuar faktin që Izraeli me këtë rast, i ka shkelur edhe ligjet ndërkombëtare.
Zyra e të drejtave të KB-së i bëri thirrje Izraelit të anulojë çdo dëbim të detyruar, duke e paralajmëruar se veprimet e tilla mund të cilësohen “krime lufte”.
“Ne dëshirojmë të theksojmë se Jeruzalemi Lindor mbetet pjesë e territorit të okupuar palestinez, në të cilin zbatohet e drejta ndërkombëtare humanitare,” – deklaroi Rupert Colville, Zëdhënës i KB.
“Fuqia okupuese … nuk mund të konfiskojë pronë private në territorin e okupuar” – vuri në dukje Colville, duke treguar se KB ka pozicion të qartë për sa i përket çështjes.
Në anën tjetër, Egjipti, Irani, Turqia dhe vende të tjera arabe, kanë reaguar ashpër duke i dënuar planet e Izraelit dhe duke e cilësuar dhunën e ushtruar ndaj banorëve palestinezë, si të papranueshme./KosovaPost/