Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për votimin e dekreteve të presidentit Ilir Meta për ndryshimet në kabinetin qeveritar të kryeministrit Edi Rama, transmeton Kosova Post.
Fillimisht deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë votuar me 95 vota pro dhe 2 kundër dekretin për shkarkimin e Edi Ramës nga posti i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe me 95 vota pro dhe 3 kundër dekretin për shkarkimin e Olta Xhaçkës nga posti i Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë.
Po gjatë seancës së sotme, deputetët e Kuvendit votuan me 94 vota pro dhe 4 kundër dekretëtin për emërimin e Olta Xhaçkës në postin e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe me 94 vota pro dhe 3 kundër për emërimin e Niko Peleshit në postin e Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë.
Mbledhja e Kuvendit u bë me kërkesë të kryeministri Edi Rama, i cili përmes një letre zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i kërkoi që të mbledhë ligjvënësit në një seancë të jashtëzakonshme, me qëllim shqyrtimin e dekreteve të shkarkimit dhe të emërimit të ministrave të kabinetit qeveritar, brenda afatit të përcaktuar në pikën 2 të nenit 98 të Kushtetutës së Shqipërisë.
Kujtojmë se ndryshimet në qeverinë e Shqipërisë erdhën pas dorëheqjes së ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, disa ditë më parë.AA