Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka vazhduar punimet e seancës, të filluar dje, shkruan Kosova Post.
Ndër pikat e rendit të ditës ishin edhe shqyrtimi i raportit vjetor të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) si dhe shqyrtimi i propozimit për shkarkimin e Bordit të RTK-së. Raporti nuk u votua. 62 deputetë votuan kundër raportit.
Në vijim, u hap diskutimi për propozimin për shkarkimin e Bordit të RTK-së.
Në arsyetimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, u radhitën një varg arsyesh, të cilat i kanë çuar deputetët në marrjen e këtij vendimi.
Deputetja Doarsa Kica Xhelili nga Lëvizja Vetëvendosje ua kujtoi deputetëve se komisioni ka vendosur me 6 vota pro, për rekomandim të shkarkimit të bordit.
Armend Muja, po në emër të LV-së, vuri në dukje faktin se RTK nuk është audituar.
“Pse i ikë ti auditimit?” – shtroi një pyetje retorike Muja, duke aluduar në një varg dyshimesh për sa u përket shpenzimeve, nga ana e RTK-së. Prandaj, pikërisht për këtë, sipas Mujës, tha që qytetarët nuk kanë qenë në dijeni “nëse paraja publike po shpenzohet në mënyrë të drejtë?”
Ai kërkoi nga deputetët që ta votojnë shkarkimin e bordit.
Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha që “është vendosur një praktikë dhe precedent i keq” duke qenë se komisionet po e keqkuptojnë detyrën e tyre. “Kuvendi po shndërrohet në gjykatë” – tha ai.
Hamza tha që nuk është për ta mbrojtur ata që i kanë keqpërdorur paratë publike. Ai e mbylli fjalimin me “nuk ka përgjegjësi kolektive”, prandaj sipas tij, shkarkimi i tërsishëm i bordit në fjalë, është një gabim.
Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e kritikoi mënyrën se u kërkua shkarkimi i bordit:
“Dënimi kolektiv iu takon më së shumti regjimeve totalitare dhe organizatave që kanë telashe me fjalën e lirë” – tha ai. Veliu, sikurse Hamza, u shpreh kundër aktit të “dënimit kolektiv”. Kjo do të jetë një “njollë e zezë” në historinë e demokracisë.
“Unë ju bëjë thirrje t’i ndalni dënimet kolektive, dhe t’i respektoni institucionet e pavarura” – tha ai në fund.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e cilësoi mënyrën e shkarkimit të bordit, si puro politike:
“Ky shkarkim është puro politik, është i njëanshëm” – tha ai, duke vërë në dukje se përkudër asaj që raporti ka qenë i keq, megjithatë, RTK – di dhe prodhon mjaft programe të mira.
Edhe deputetja nga radhët e minoriteteve Fidan Jilta, përkatësisht KDTP, dha opinionin e saj në lidhje me propozimin për shkarkimin e bordit.
Diskutimi është ende duke diskutuar rreth kësaj çështjeje./KosovaPost/