Prokuroria Speciale njoftoi për arrestimin e një shtetasi malazes nga fshati Vitomiricë i Pejës, nën dyshimet për “Krime Iufte kundër popullsisë civile”.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se personi që u arrestua është Milorad Dokovic, 61-vjeçar, i cili u prangos rreth orës 14:00.
Sinjali mëson se 61-vjeçari i arrestuar dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Ozdrim të Pejës gjatë Iuftës në Kosovë, në muajin maj të vitit 1999.
Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës, ku dyshohet se u vr anë nëntë civil të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë.
I dyshuari tashmë është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërkohë që janë kryer edhe bastisje lidhur me rastin.
Burimet e Sinjalit thonë se me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit dhe zyra e tij e strukturave paralale në fshatin Gorazhdec të Pejës.
Policia e Kosovës me anë të një komunikate ka bërë të ditur se në shtëpinë dhe zyrën e të dyshuarit në Gorazhdec të Pejës, janë sekuestruar katër shtëpiza.
I njëjti, sipas PK-së, është dërguar në mbajtje.
“Pejë 1998-1999 – NN. Me 27.06.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas malazez, nën dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në kryerjen e veprës së cekur gjatë viteve 1998-1999. Njësitet policore me urdhër të prokurorit dhe gjyqtarit të Departamentit Special kanë kryer kontrollin e shtëpisë së të dyshuarit dhe një zyre në fshatin Gorazhdec-Pejë, ku kanë sekuestruar katër shtëpiza të kompjuterit. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në komunikatë.