Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, është shkarkuar sot nga presidentja Vjosa Osmani.
Në vendim thuhet se kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme më 14 shkurt 2021, e ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.
“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke u pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueseve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar në përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Aty thuhet po ashtu se Valdete Daka nuk e ka kryer punën e saj sipas standardeve profesionale dhe etike.
Në vendim tutje thuhet se kryesuesja e KQZ-së nuk guxon të jetë shkak i humbjes së besimit qytetar në këtë institucion, derisa përmenden edhe zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vjeshtë.
“Legjislacioni në fuqi parasheh se Presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar Kryesuesen e KQZ-së, sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Ndaj, duke pasur parasysh vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike dhe për t’u siguruar se ky integritet nuk dëmtohet më tutje, duke u mbështetur në faktin se zgjedhjet lokale të vitit 2021 pritet të organizohen së shpejti, dhe në asnjë mënyrë Kryesuesja e KQZ-së nuk guxon të jetë shkak i humbjes së besimit të qytetarëve në këtë institucion, kam vendosur sikurse në dispozitivin e këtij vendimi”, thotë vendimi i presidentes, Vjosa Osmani.kk