Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak, është kritikuar ashpër pas një deklarate të lëshuar ditën e djeshme, në lidhje me çështjen e liberalizimit, përkatësisht anëtarësimit të Kosovës në BE, shkruan Kosova Post.
“Një çast sa për t’iu përgjigjur Miroslav Lajçakut: nëse nuk e doni punën tuaj, ndoshta më mirë është të shkoni diku tjetër. Çfarë deklarate arrogante nga dikush që supozohet t’i ndih dy shtete për t’u afruar me Bashkimin Europian dhe të mos shikojnë tutje”, ka shkruar ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila.
Edhe ish ambasadorja Vlora Çitaku, e ka cilësuar arrogant Lajçakun:
“Arrogant. Ekstremisht arrogant. Zgjerimi nuk është projekt altruist. Për më tepër, nëse Bashkimi Evropian dështon në fqinjësi, atëherë si presin burokratët e BE-së, të merren seriozisht me vende më të largëta dhe shumë më komplekse”, ka shkruar ajo.
Lajçak dje në një konferencë për media tha i nervozuar se kushdo që nuk i beson BE-në, le të shkojë diku tjetër. Deklarata e tij nxiti reagime të shumta më pas/KosovaPost/