Në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, udhëtoi drejt Beogradit.
Lajçak, po zhvillon takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Fokusi i bisedimeve është rruga drejt zbatimit të së ashtuquajturës, Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.
E para takimit, foli shkurt presidenti serb Vuçiq. Ky i fundit vazhdon të insistojë në asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Më lejoni të mos flas shumë për takimin me Miroslav Lajçak. Unë do të jem me të sot dhe nesër dhe do të përpiqem të punoj, të shoh se çfarë është, jo para së gjithash se çfarë mund të ëndërrojmë dhe çfarë do të flasim, por çfarë mund të bëjmë. Nëse dikush nuk është gati të flasim, e lëre më të zbatojmë Asociacionin, nuk e di se çfarë është qëllimi”, tha ai.
Para takimit foli edhe emisari evropian Miroslav Lajçak, por për zgjedhjet në veri të vendit. Ai deklaroi se duhet të gjendet një zgjidhje politike për këtë çështje. Derisa konstruktiv e quajti vendimin e KQZ-së për shtyrjen e zgjedhjeve.
“Zgjedhjet do të reflektojnë edhe preferencat e qytetarëve. Prandaj na duhet edhe një zgjidhje politike. Në këtë kontekst, vendimi i KQZ-së për shtyrjen e afatit për paraqitjen e listave është një vendim konstruktiv sepse na jep më shumë hapësirë dhe mundëson që mbledhja e Ohrit në datën 18 të mos mbahet nën presionin e këtij afati, por shpresojmë se do të ndihmojë. Në një atmosferë krijuese që do të ishte e favorshme për gjetjen e një zgjidhjeje politike“, ka thënë Lajçak për ”Kossev“.
Lajçak po e viziton Beogradin disa ditë pas vizitës dyditore në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, dhe zyrtarë tjerë politikë