Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-ve, Gabriel Escobar gjatë ditës së djeshme kanë qëndruar në Beograd.
Këta të dy kanë zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në këtë takim temë diskutmi ka qenë situata në veri të vendit.
‘“Në Beograd, Gabriel Escobar dhe unë patëm diskutime të gjata me Aleksandar Vuçiq për gjendjen komplekse të serbëve në Kosovë. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme dhe nevojitet urgjentisht një zgjidhje politike për krizën aktuale. Ne e vlerësuam gatishmërinë e tij për të kontribuar në të”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian presin që më së largu sot (të mërkurën) të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri.
Kjo nënkupton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të pajtohet me tri pikat/kushtet që dy emisarët, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak ia kumtuan atij, në takimin e së hënës.
Ato janë qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe dhe kthimi në dialog me Serbinë.