Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se pret që liderët e NATO-s të japin dritën jeshile për forcimin e aleancës dhe dërgimin e mbështetjes së mëtejshme për Ukrainën, transmeton KosovaPost.
“Nesër pres që aleatët të bien dakord të ofrojnë mbështetje shtesë, duke përfshirë ndihmën për sigurinë kibernetike, si dhe pajisje për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet nga kërcënimet kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi përpara takimit të jashtëzakonshëm të liderëve të NATO-s të caktuar për të enjten.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjithashtu do t’i bashkohet liderëve të NATO-s për një pjesë të diskutimit përmes video-lidhjes.
Stoltenberg tha gjithashtu se ai pret që liderët e NATO-s të ngarkojnë komandantët ushtarakë që të shqyrtojnë planet për ristrukturimin e mbrojtjes dhe parandalimit të aleancës në afat të gjatë.
Si hap i parë i këtij procesi, tha ai, NATO do të vendosë katër grupe të reja beteje në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki.
Stoltenberg theksoi se vendet e NATO-s duhet të rrisin investimet e tyre në mbrojtj, sepse “paqja nuk mund të merret më si e mirëqenë” pasi Rusia shkatërroi rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore.
“Invazioni i presidentit Putin është brutal; vuajtja njerëzore është e tmerrshme dhe e dhimbshme për t’u dëshmuar. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur Ukrainën”, nënvizoi ai.
– “Lufta bërthamore nuk duhet të ndodhë kurrë”
I pyetur për kërcënimin rus për përdorimin e armëve bërthamore, Stoltenberg pohoi se “NATO ka plane për të mbrojtur aleatët kundër çdo kërcënimi”.
“Lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë”, theksoi ai.
Shefi i NATO-s paralajmëroi gjithashtu se duke përhapur dezinformata rreth ukrainasve se me ndihmën e NATO-s përgatitet të vendosë armë kimike, Rusia mund shfrytëzojë një pretekst për të përdorur armët e veta kimike kundër ukrainasve, siç bënë kundër opozitës ruse dhe duke lehtësuar sulmet kimike të regjimit të Asadit në Siri.
Ai tha se NATO është veçanërisht i shqetësuar se “përhapja e agjentëve kimikë ose biologjikë të përdorur në Ukrainë mund të ketë pasoja të tmerrshme edhe për popullsinë që jeton në vendet e NATO-s në Evropë”.
Aleatët e NATO-s janë të shqetësuar se Kina do të sigurojë mbështetje materiale për luftën ruse, shtoi Stoltenberg.
Udhëheqësit e NATO-s gjithashtu pritet t’i bëjnë thirrje Bjellorusisë që t’i japë fund bashkëpunimit në luftë dhe t’i kërkojnë Kinës “të përmbushë përgjegjësitë e saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të përmbahet nga mbështetja e përpjekjeve luftarake të Rusisë dhe t’i bashkohet pjesës tjetër të botës duke bërë thirrje për një përfundim paqësor të kësaj lufte”, tha ai.
Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka hasur në reagime ndërkombëtare, ku BE-ja, SHBA-ja dhe Britania, ndër të tjera, kanë zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Të paktën 953 civilë janë vrarë deri më tani në Ukrainë dhe 1.557 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së. Megjithatë, ajo ka paralajmëruar se numri i saktë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë pasi nuk ka qenë në gjendje të ketë akses në zonat e konfliktit.
Mbi 3,6 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët./AA